Sot, ne nje ceremoni te organizuar nga Bashkia Diber u perkujtua 23-gushti, Dita e Çlirimit te Dibres. Ne kete ceremoni mori pjese edhe Prefekti i Qarkut Diber Z. Ardit Kaja i cili mbajti edhe fjalen e rastit ne nder te sakrifices sublime te te gjithe atyre deshmoreve dhe veteraneve qe kontribuan ne çlirimin e Dibres. Ne fjalen e tij, Prefekti Z. Ardit Kaja shprehu mirenjohjen dhe nderimin per vepren e pamohueshme te atij brezi duke u shprehur se ne, te gjitheve na takon te punojme me pergjegjesi per nje te ardhme me te mire per femijet dhe brezat qe do te vijne.
Fjala e plote e Prefektit Z. Ardit Kaja
Të nderuar veteranë të Luftës Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare, familjarë e të afërm, pasardhës të të rënëve në këtë luftë;
Të nderuar deputetë, Drejtues të Institucioneve, qytetarë të Dibrës, miq e të ftuar.
Gëzuar 23- gushtin, Ditën e Çlirimit të Dibrës, këtë ditë të shënuar si fillim i ri në historinë e një Dibre të lirë e të çliruar nga pushtimi Nazi-Fashist.
U desh shumë mund, sakrificë e gjak që kjo ditë të rendintej në faqet e historisë së Dibrës si një ditë e lavdishme dhe të përkujtohet edhe sot nga brezat dhe pasardhësit e të rënëve.
Disa nga ju të pranishën sot, keni qenë pjesë e asaj sakrifice, e shumë të tjërë prej jush jeni të afërmit e atyre që bënë atë sakrificë sublime në një betejë të lavdishme për t’i rikthyer lirinë vendit të tyre , një vendi aq liridashës që e ka emrin Dibër.
Ndaj jemi mbledhur sot këtu, në kujtim të kësaj dite të shënuar për secilin prej nesh. Jemi mbledhur gjithashtu në respekt të të gjithë atyre që nuk janë fizikisht mes nesh por që me veprën dhe sakrificën e tyre arritën të gdhendin emrin në memorien tonë njerëzore, të historisë së krahinës tonë dhe të historisë së Kombit Shqiptar.
Të gjithë dëshmorët që ne sot kujtojmë dhe të gjithë ata veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare e shkruajtën historinë e tyre me gjak.
Duke kujtuar veprën e secilit prej jush, kujtojmë sakrificën, kontributin të cilin e shpreh çdo thinjë e juaja, dhe na treguat se ju nuk u dorëzuat as përpara plumbit, as përpara vështirësive dhe asgjëje tjetër duke luftuar fort për realizuar atë qëllim sublim duke fituar lirinë e cila është guri më i rëndësishëm i themelit të çdo kombi.
Shumë, janë munduar për ta mohuar këtë luftë, shumë të tjerë për ta deformuar dhe për të zbehur lavdinë e historisë e saj e cila pavarësisht të gjithave triumfon dhe ndiçon ndër breza duke hedhur poshtë çdo përpjekje të çdo pseudo-historiani.
Si shpërblim i fitores që ju realizuat, ne sot gëzojmë një Shqipëri të lirë anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ne, sot kemi përgjegjësinë për të çuar përpara Shqipërinë e lirë që na dhuruat ju, për të realizuar ëndrrën e 23 gushtit 1944 dhe për ta bërë këtë vend më të mirë, më të begatë duke i shërbyer me përgjegjësi e sakrificë të ardhmes së fëmijëve tanë dhe brezave që do ë vijnë.
Na përket ne, drejtuesve të të gjitha Institucioneve, për të punuar me përgjegjësi në mënyrë që t’i hapim rrugë zhvillimit të Dibrës dhe Shqipërisë për të realizuar ëndrrën e çdo shqiptari e veçanërisht ëndrrën e çdo të riu duke e bërë Shqipërinë si gjithë Europa.
I përjetshëm Qoftë kujtimi i dëshmorëve të Dibrës;
Paçi jetë sa më të gjatë ju veteranë të LANÇ-it;
Rroftë Dibra,
Rroftë Shqipëria.

