Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu morri pjesë në takimin e zhvilluar nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj me Prefektët e Qarqeve, Kryetarët e Bashkive dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.
Në fokus të takimit ishin çështjet që lidhen me përgatitjet e Ministrisë së Brendshme dhe njësive të qeverisjes vendore, për procesin e zgjedhjeve vendore të qershorit 2019.
Ndër detyrat e lëna nga Ministri i Brendshëm për drejtues të njësive vendore, veçohen: afishimi në vende të dukshme i listave zgjedhore; zgjedhja në kohë e ambienteve për qendra votimi, për të shmangur në maksimum ambientet private; përditësimi i Adresarit; shtimi i zyrave të Gjendjes Civile përgjatë 2019, vit kur duhen rinovuar rreth 1.4 milion karta identiteti të cilave u skadon vlefshmëria. Ministri u kërkoi Kryetarëve të Bashkive të tregojnë kujdes veçanërisht për të shmangur regjistrimet fiktive të shtetasve para periudhës zgjedhore duke theksuar se do të ketë kontrolle dhe do të merren masa për shkelje të kësaj natyre.
