Flamuri
Republika e Shqipërisë
Te Reja

Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu mbledh Shtabin e Emergjencave Civile

Duke u nisur nga situata e shkaktuar nga reshjet e dy ditëve të fundit, Prefekti i Qarkut  Dibër Z. Nexhbedin Shehu mblodhi Shtabin e Emergjencave Civile me qëllim koordinimin e punës për përballimin e çdo emergjence të mundshme civile dhe ofrimin e shërbimeve të pa ndërprera për komunitetin. Në mbledhjen e sotme u konfirmua gatishmëria e të gjithë institucioneve për përballimin e çdo emergjence, duke raportuar në mënyrë analitike dhe të vazhdueshme mbi situatën dhe masat e marra për përballimin e saj. Në mbledhje ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Dibër, Drejtori i Policisë Vendore Dibër, përfaqësues i OSHEE-së, Ujësjellës Kanalizime Dibër, përfaqësues të Shërbimit Social pranë Bashkisë, etj..

Kryetari i Bashkisë Dibër informoi mbi situatën dhe mënyrën se si bashkia po e menaxhon atë. Sipas tij janë kryer në kohë të gjitha tenderimet me qëllim kontraktimin e firmave mirëmbajtëse të rrugëve si dhe janë siguruar sasitë e nevojshme të kripës dhe skorjes të cilat po hidhen për të mbajtur të kalueshme akset nacionale, rrugët e qytetit si dhe ato rurale në përgjithësi. Mjetet borëpastruese po punojnë për hapjen e rrugëve që lidhin njësitë e thella administrative me qytetin duke theksuar se aktualisht gjendja më e vështirë paraqitet në njësitë administrative Selishtë dhe Luzni. Kryetari i Bashkisë nëpërmjet edhe të përfaqësuesit të firmës kontraktore raportoi se rruga që lidh Njësinë Administrative Kala e Dodës me qytetin është e kalueshme dhe aktualisht po punohet për hapjen e rrugëve në njësitë administrative Kastriot, Maqëllarë, Melan dhe Tomin. Është pastruar dhe hapur aksi i unazës së re të qytetit dhe po mbahet vazhdimisht nën kontroll situata në të gjitha akset në përgjithësi.

Drejtori i Policisë Vendore Dibër shprehu gadishmërinë e plotë dhe theksoi se patrullat janë të pranishme në rrugë me qëllim stabilizimin e qarkullimit të mjeteve në këtë situatë dhe theksoi se ka siguruar bashkëpunim edhe me OSHEE-në në rast nevoje për mjete të kalueshmërisë së lartë.

Përfaqësuesi i OSHEE-së informoi se është punuar për sigurimin e energjisë elektrike për të gjithë sipërfaqen që kanë në administrim por pavarësisht mbetet pa energji prej ditës së djeshme fshati Bulaç i Njësisë Administrative Muhurr pasi hyrja në fshat është e pa mundur si pasojë e rreshjeve të rëna.

Drejtoria e Shërbimit Spitalor Dibër informon se kanë në gadishmëri të plotë si personelin mjekësor ashtu edhe autoambulancat. Sipas përfaqësuesit në mbledhje u raportua se janë menaxhuar pa vështirësi rastet urgjente të paraqitura gjatë dy ditëve të fundit. Ngrohja e ambjenteve është siguruar për 24 orë. Ndërsa Drejtoria e Shëndetit Publik Dibër informon se të gjitha qendrat shëndetësore janë në punë dhe të gatshme për të ofruar shërbim për çdo rast, Theksohet se vetëm Qendra Shëndetësore e Njësisë Administrative Selishtë disponon një numër të caktuar shtretërish në rast se paraqitet nevoja, ndërsa autoambulancë disponon vetëm Qendra Shëndetësore Maqëllarë.

Prefekti duke vlerësuar punën e bërë, kërkoi nga të gjithë anëtarët e shtabit angazhim maksimal për përballimin me sukses të situatës, mbajten në gadishmëri të mjeteve borë pastruese si dhe të mjeteve të kalueshmërisë së lartë me qëllim përballimin dhe zgjidhjen e çdo nevoje të paraqitur nga popullata. Gjithashtu theksoi se rasti kërkon gadishmëri të shtuar si në spitale ashtu dhe në qendra shëndetësore me qëllim ofrimin e shërbimit  të pa ndërprerë për qytetarët. Veçanërisht kërkoi praninë e drejtorëve të shkollave dhe mësuesve në ambjentet shkollore pavarësisht ndëprerjes së mësimit me qëllim sigurimin e kushteve për rihapjen e shkollave në ditët në vazhdim. Prefekti gjithashtu kërkoi të tregohet kujdes i veçantë nga ana e Drejtorisë së Policisë për menaxhimin e qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë që në disa raste janë bërë pengesë për qarkullimin e përgjithshëm të mjeteve duke bllokuar rrugën për disa orë. Vëmendje të shtuar gjithashtu, Prefekti kërkoi për shtresat në nevoje dhe për të pastrehët (nëse ka) duke udhëzuar përfaqsuesit e Sherbimit Social pranë bashkisë të kryejnë evidentimin e rasteve dhe kapaciteteve që disponojnë për menaxhimin e nevojave dhe emergjencave të mundshme.

 

49608050_391377998320686_686661834933010432_n 49774165_973391892871509_8593940993328283648_n