Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu, sot më datë 20. 02. 2019 mblodhi Organin Këshillues për të diskutuar mbi problematikat që lidhen me menaxhimin e ujit të pijshëm në Qarkun e Dibrës. Prefekti duke u fokusuar në domosdoshmërinë e lidhjes së kontratave të reja, instalimin e matësave të rinj, evidentimin dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme si dhe uljen e volumit të humbjeve, theksoi se plotësimi i këtyre standarteve është mënyra e vetme për zhvillimin e qëndrueshëm të praktikave të menaxhimit të ujit të pijshëm në Qarkun e Dibrës.
Prefekti gjithashtu duke analizuar treguesit e performancës së punës së ndërmarrjeve të ujësjellësave, kërkoi bashkëpunim më të gjerë ndër-institucional në drejtim të luftës kundër informalitetit për ujin e pijshëm pavarësisht se nuk gjendemi në kushte të imponuara nga shpallja e një aksioni kombëtar për këtë qëllim.
Prefekti duke vënë theksin në parametrat higjeno-shëndetësorë të ujit, kërkoi bashkëpunim të ngushtë të ndërmarrjeve të ujësjellësave me Drejtoritë e Shëndetit Publik sipas rretheve me qëllim zbatimin e legjislacionit në fuqi që garanton cilësinë e ujit për konsum nga njerëzit dhe zbatimin e rregullores “Cilësia e Ujit të Pijshëm” të miratuar sipas VKM-së nr. 379 datë 25. 05. 2016.
