Flamuri
Republika e Shqipërisë
Uncategorized

Mbledhje e Komitetit Rajonal të Turizmit

Prefekti i Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, drejtoi sot takimin e radhës të Komitetit Rajonal të Turizmit në të cilin morrën pjesë përfaqësues të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, të Institucioneve Qëndrore në Nivel Vendor, duke veçuar pjesëmarrjen edhe të përfaqësueses së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Prefekti, duke vlerësuar turizmin si një ndër sektorët më prioritarë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe duke sjellë në vëmendje gjithashtu prononcimet e përfaqësuesve të qeverisë dhe rekomandimet e dhëna në këtë drejtim, kërkoi nga përfaqësuesit e Organeve të Vetëqeverisjes Vendore, shtimin e angazhimit cilësor dhe rritjen e vëmendjes në drejtim të hartimit të projekteve, planeve të masave dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ideve duke i hapur rrugë kërkesës për financime nga qeveria ose bashkëfinancimeve të mbështetura nga organizata ndërkombëtare që kanë në fokus të tyre zhvillimin e turizmit në veçanti.

Prefekti Nexhbedin Shehu, në mënyrë të veçantë për secilën bashki, në bazë të veçorive nga të cilat ato karakterizohen kërkoi të kryhen projekte dhe më pas të kërkohet financim për përmirësimin e infrastrukturës, menaxhimin e mbetjeve, furnizmin me ujë dhe energji të fshatrave që janë përzgjedhur si pjesë e projektit “Njëqind Fshatra”, duke i dhënë përparësi ndërtimit të bujtinave dhe ngritjeve të kampingjeve si format më të përshtatshme me natyrën dhe relievin e qarkut tonë.

Prefekti nga ana e tij në mënyrë të veçantë theksoi rëndësinë që mbart parku natyror i Ulzës duke i rekomanduar Bashkisë Mat, të mos mjaftohet me punën e bërë deri tani por të fokusohet në promovimin e bukurive të kësaj zone si dhe të vlerësojë hapësirat për motivimin e personave të interesuar për ndërtimin e objekteve me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më cilësore, duke rritur kështu vëmendjen e turistëve dhe popullatës në përgjithësi për zonën e Ulzës.

Prefekti në përfundim të takimit, për të përmbledhur qëllimin e tij, theksoi se zhvillimi i turizmit përtej rëndësisë që ka, nuk konsiston vetëm tek bashkëpunimi me agjensi dhe organizata të huaja, gjë e cila sjell vetëm zhvillim spontan të turizmit por konsiston në zhvillimin e qëndrueshëm dhe gradual të ideve e projekteve të qarta dhe në punën me përgjegjesi e vizion nga bashkitë të cilat sipas tij kanë përgjegjësinë kryesore në këtë proces.