Sot më datë 20.01.2021, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, u zhvillua analiza e punës së Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, e cila u ndoq gjithashtu nga Drejtorja e Drejtorisë për Çështjet Vendore dhe Prefekturat Znj. Alma Mele.
Prefekti, duke falenderuar znj. Mele për pjesëmarrjen dhe stafin e tij për punën e bërë, me qëllim zhvillimin e një analize konstruktive dhe rezultative, u fokusua në prezantimin e veprimtarisë së kryer për realizmin e objektivave, si dhe implementimin dhe zbatimin e prioriteteve dhe politikave të Qeverisë në Qarkun Dibër. Sipas tij, puna e përditshme një vjeçare e Institucionit që drejton, ka konsistuar në ndërtimit e një marrëdhënieje të bashkëpunimit reciprok si me Institucionet Qëndrore në Nivel Vendor ashtu edhe me Organet e Vetëqeverisjes Vendore, duke bashkërenduar gjithashtu veprimtaritë e tyre, me qëllim realizimin e objektivave qeverisëse, ruajtjen e rendit dhe sigurisë në qark, rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj publikut, parandalimin dhe menaxhimin e emergjencave, rritjen e sigurisë ushqimore, rritjen e nivelit të sigurisë në rrugë, ofrimin e shërbimeve arsimore dhe shëndetësore cilësore dhe monitorimin e çdo lloj veprimtarie ligjore të institucioneve në qark.
Gjithashtu, sipas Prefektit, gjatë vitit 2020, krahas realizimit të detyrave sipas misionit dhe fushave të përgjegjësive të secilit sektor, rëndësi e veçantë i është dhënë funksionimit pranë tij, të strukturave dhe organizmave të përhershme dhe të përkohshme, me përbërje ndërinstitucionale me qëllim menaxhimin e problemeve dhe situatave të veçanta, duke u përpjekur për arritjen e zgjidhjeve konstruktive, të përbashkëta dhe gjithëpërfshirëse që do t’i shërbejnë zhvillimit ekonomik e social të Qarkut Dibër. Institucioni i Prefektit, gjatë vitit 2020 ka qenë maksimalisht i angazhuar, në luftën kundër Covid-19, duke luajtur një rol kryesor në menaxhimin e situatës dhe koordinimin e veprimeve me anë të mekanizmave të Task-Forcës së krijuar në këtë kuadër.
Si konkluzion final, çmojmë se analiza për veprimtarinë e Institucionin të Prefektit për vitin 2020, për mënyrën si u trajtuan çështjet ia arriti plotësisht qëllimit, duke nxjerrë në pah veprimtarinë e Prefektit për ushtrimin e përgjegjësive të tij, mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve me institucionet qëndrore e vendore, si dhe vendosjen e objektivave për vitin 2021.