Flamuri
Republika e Shqipërisë
Te Reja

Mbledhje e Komitetit Rajonal të Turizmit

Ditën e sotme me datë 21.04.2022, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore e të Institucioneve Qëndrore në Nivel Vendor.u zhvillua mbledhja e rradhës e Komitetit Rajonal të Turizmit, në të cilën u diskutua mbi prioritetet e zhvillimit të turizmit në qark dhe masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.

Prefekti, duke vlerësuar turizmin si një ndër sektorët më prioritarë të zhvillimit ekonomik të vendit, kërkoi nga përfaqësuesit e Organeve të Vetëqeverisjes Vendore, shtimin e angazhimit cilësor dhe rritjen e vëmendjes në drejtim të hartimit të projekteve, planeve të masave dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ideve, duke i hapur rrugë kërkesës për financime nga qeveria ose bashkëfinancimeve të mbështetura nga organizata ndërkombëtare që kanë në fokus të tyre zhvillimin e turizmit në përgjithësi e agroturizmit në veçanti.

Prefekti Nexhbedin Shehu, në mënyrë të veçantë për secilën bashki, në bazë të veçorive nga të cilat ato karakterizohen kërkoi që të punohet intensivisht për përmirësimin e infrastrukturës, menaxhimin e mbetjeve, furnizmin e pandërprerë me ujë dhe energji të fshatrave që janë përzgjedhur si pjesë e projektit “Njëqind Fshatra”, duke i dhënë përparësi zhvillimi të agroturizmit si një nga format më të përshtatshme me natyrën dhe relievin e qarkut tonë.

Për të përmbledhur qëllimin e tij, Prefekti theksoi se zhvillimi i turizmit përtej rëndësisë që ka, nuk konsiston vetëm tek bashkëpunimi me agjensi dhe organizata të huaja, gjë e cila sjell vetëm zhvillim spontan të turizmit por konsiston në zhvillimin e qëndrueshëm dhe gradual të ideve e projekteve të qarta dhe në punën me përgjegjesi e vizion nga bashkitë të cilat sipas tij kanë peshën kryesore në këtë proces.

Në këtë kuadër, Prefekti kërkoi bashkëpunim ndërinstitucional dhe gadishmëri të plotë për ofrimin e shërimeve cilësore për vizitorët ose turistët që pritet të vizitojnë Qarkun e Dibrës në sezonin veror 2022.