Flamuri
Republika e Shqipërisë
Te Reja

Transformimi i Përgjigjies Kombëtare për Trafikimin e Qënieve Njerëzore Brenda dhe nga Shqipëria

Ditën e sotme me datë 19.07.2022, në kuadër të funksionimit të programit “Transformimi i Përgjigjies Kombëtare për Trafikimin e Qënieve Njerëzore Brenda dhe nga Shqipëria” të zhvilluar nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me prezencën e Mbretërisë së Bashkuar dhe të UNICEF-it në Shqipëri, në ambjentet e Institucionit të Prefektit, u zhvillua një takim me anëtarët e Komitetit Rajonal dhe Tryezës Teknike Antitrafik të Qarkut Dibër.
Në takim u diskutua mbi zbatueshmërinë e VKM-së nr. 670, datë 10.11.2021 “Për miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Luftën Kundër Trafikimit të Personave për periudhën kohore 2021-2023”, VKM-së nr. 400 datë 19.06.2019 “Për Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Migracionin dhe të Plan-Veprimit për periudhën kohore 2019-2022” si dhe mbi funksionimin e MKR-së së qarkut.
Gjatë takimit organizatorët kryen një prezantim mbi zbatimin e masave të Planit Kombëtar të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave si dhe diskutuan me anëtarët e Komitetit dhe Tryezës Teknike mbi realizimin e një bashkëpunimi rezultativ me qëllim parandalimin e migracionit të parregullt në Shqipëri.

Prefekti nga ana e tij, në cilësinë edhe të Kryetarit të Komitetit Rajonal të Luftës Kundër Trafikimit të Personave, ndërsa përshëndeti organizatorët dhe vlerësoi pozitivisht rezultatet e punës dhe bashkëpunimit të garantuar prej tyre, shprehu gjithashtu gadishmërinë dhe angazhimin për të qënë rezultativ në këtë mision të përbashkët duke i kthyer në objekt të punës të gjitha rekomandimet dhe orientimet e dhëna.

Sipas tij është e rëndësishme që disa gjetje faktike të dala edhe nga një studim i mëparshëm i UNICEF-it dhe prezencës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri mbi njohuritë, qëndrimet dhe praktikat e të rinjve mbi trafikimin e qënieve njerëzore, të vihen në funksion të orientimit të punës së strukturave ndërinstitucionale në procesin e luftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore.