Ditën e sotme me datë 06.09.2022, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër Z. Nexhbedin Shehu, u zhvillua mbledhja e rradhës e Organit Këshillues me tematikë: “Raportim mbi masat e marra për përgatitjen e godinave shkollore për vitin e ri shkollor 2022-2023”.
Në këtë takim morën pjesë dhe raportuan sipas rendit të ditës, kryetarët e bashkive të Qarkut Dibër, drejtuesit e Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar sipas bashkive, si dhe përfaqësuesi i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor Dibër.
Prefekti nga ana e tij, kërkoi nga pjesëmarresit të raportojnë dhe të diskutojnë për arritjen e zgjidhjeve të përbashkëta për disa problematika të hasura, në mënyrë që të mos ketë pengesa për fillimin normal të vitit të ri shkollor.
Në vijim të kësaj ideje, Prefekti theksoi se, bashkëpunimi i Zyrave Arsimore me Bashkitë përkatëse duhet të vijojë dhe duhet t’i shërbejë krahas realizimit të një procesi cilësor edukimi edhe përmirësimit të infrastrukturës shkollore, përmirësimit të kushteve higjeno-sanitare dhe përgatitjes së ambjenteve në përputhje me të gjitha normat dhe standartet, duke mos shmangur kurrsesi pasjisjen e shkollave me leje higjieno-sanitare, furnizimin pa ndërprerje me ujë dhe energji elektrike, si dhe furnizimin e çdo shkolle me materialet e nevojshme mësimore në mënyrë që të krijohet një ambjent i përshtatshëm për praninë e nxënësve në shkolla.
Prefekti gjithashtu diskutoi veçanërisht për çështjen e klasave kolektive dhe efektivitetin e tyre. Sipas tij duhet zhvilluar një analizë e mirëfilltë mbi rezultatet e këtyre klasave, në mënyrë që, nëse faktohen rezultate të ulëta në mësime për nxënësit që frekuentojnë këto klasa të merren masa për shkrirjen e tyre dhe rigrupimin e nxënësve në klasa normale duke krijuar kushte sipas nevojës edhe për transportimin e tyre drejt shkollave më të afërta ose shkollave të qytetit.
Prefekti në përfundim të takimit theksoi se vazhdimisht është në ndjekje të problematikave që kanë sot shkollat, dhe së është i gatshëm që të ofrojë asistencën dhe bashkëpunimin e tij për zgjidhjen e çdo problemi që mund të pengojë punën e përditshme të mësuesve dhe nxënësve.