Flamuri
Republika e Shqipërisë
Te Reja

Mbledhje me Drejtues të Institucioneve Qëndrore në Nivel Vendor

Ditën e sotme, më datë 28 Shkurt 2025, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër, Z. Nexhbedin Shehu, u zhvillua mbledhja e radhës me drejtuesit e Institucioneve Qendrore në Nivel Vendor. Në fokus të takimit ishte raportimi mbi realizimin e detyrave të muajit Shkurt 2025.

Prefekti theksoi rëndësinë e respektimit të Kodit Zgjedhor, duke kërkuar angazhim maksimal nga të gjithë drejtuesit për përputhshmërinë e veprimeve institucionale me rregullat dhe normat ligjore në fuqi. Ai kërkoi gjithashtu nga të pranishmit që të angazhohen me të gjitha kapacitetet për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional, me qëllim realizimin e objektivave dhe prioriteteve të përbashkëta.

Gjatë mbledhjes u nënvizua domosdoshmëria e ofrimit të shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve, si dhe trajtimi në kohë dhe me efikasitet i kërkesave dhe ankesave të tyre. Prefekti vuri theksin te rëndësia e përkushtimit të institucioneve në këtë drejtim, duke garantuar një administratë sa më efikase dhe të përgjegjshme ndaj nevojave të qytetarëve.

Një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua ishte nevoja për pastrimin e territorit. Në këtë kuadër, Prefekti kërkoi që çdo të premte të fundit të muajit të organizohen aksione konkrete për pastrimin e zonave përkatëse, duke garantuar një mjedis më të pastër dhe më të rregullt për qytetarët.

Mbledhja përfundoi me angazhimin e të gjithë drejtuesve për të ndjekur dhe zbatuar detyrimet e përcaktuara, duke vijuar me përkushtim realizimin e prioriteteve institucionale në shërbim të qytetarëve.