Sot, më datë 26 mars 2025, në orën 10:00, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër, Z. Nexhbedin Shehu, u mbajt mbledhja e organit këshillues me temë: “Ndjekja e detyrave nga institucionet përgjegjëse për sigurinë në shkolla”.
Gjatë mbledhjes u diskutua situata e ndjeshme që paraqitet aktualisht në shkolla, veçanërisht në aspektin e sigurisë. U theksua se për shkak të kritereve të rekrutimit, shumë shkolla po përballen me mungesën e oficerëve të sigurisë, duke krijuar një hendek në mbrojtjen e nxënësve dhe stafit.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte higjiena në institucionet arsimore, ku kontrollet vijojnë të jenë të rregullta për të siguruar kushte optimale. Po ashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua monitorimit të kiosqeve pranë shkollave, për të garantuar respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore.
Në këtë mbledhje u nënvizua edhe rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve të ndryshme, si Policia Vendore, Bashkia, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, për të siguruar një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt për nxënësit. Një problematikë e vazhdueshme mbetet edhe qarkullimi i automjeteve pranë shkollave, i cili kërkon masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e fëmijëve.