Mbledhje e mbajtur sot datë 23 prill 2025 në Institucionin e Prefektit të Qarkut Dibër, drejtuar nga z. Nexhbedin Shehu,me Komisionin e Mbrojtjes Civile, ku u diskutuan përgatitjet dhe masat e nevojshme për sezonin veror, me fokus të veçantë në menaxhimin dhe parandalimin e zjarreve. U evidentuan mungesat në mjetet për shuarjen e zjarreve, si dhe nevoja për hartimin e planeve të detajuara për sezonin në vijim.
Gjatë takimit u nënvizua rëndësia e shpërndarjes së informacionit në mënyrë të qartë dhe efikase, si dhe rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional. Vlerësimi i dëmeve dhe përcaktimi i prioriteteve në raste emergjente ishin gjithashtu në fokus, ndërkohë që u theksua roli aktiv i strukturave të Policisë në terren në koordinimin dhe shkëmbimin e informacionit në kohë.
Mbledhja përfundoi me angazhimin për të vijuar punën në terren përmes takimeve dhe aktiviteteve sensibilizuese me komunitetin, në mënyrë që masat parandaluese të jenë sa më efektive dhe gjithëpërfshirëse.