Takimi i Task Forcës dhe Komitetit Rajonal të Turizmit në Prefekturën Dibër
Më datë 10 qershor 2025, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, u zhvillua mbledhja e Task Forcës dhe Komitetit Rajonal të Turizmit, nën drejtimin e Prefektit z. Nexhbedin Shehu.
Në fokus të takimit ishte menaxhimi i territorit dhe përballimi i fluksit të shtuar të turistëve gjatë sezonit veror. U theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional mes të gjithë anëtarëve të Task Forcës, si dhe jashtë saj, për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të rregullt. Një nga çështjet kyçe të diskutuara ishte bashkërendimi i veprimeve mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit, me qëllim rregullimin e qarkullimit të automjeteve në zonat turistike. Gjithashtu, u theksua nevoja për vendosjen e tabelave informuese në çdo hyrje të zonave turistike, si dhe mbështetja me pakot e ndihmës së shpejtë nga qendrat shëndetësore të NJVKSH.
Ky takim vjen si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për një menaxhim sa më efikas të sezonit turistik në Qarkun Dibër.