Flamuri
Republika e Shqipërisë
Te Reja

Mbledhje e Tryezës Rajonale Antitrafik

Më datë 17 qershor 2025, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër u zhvillua mbledhja e radhës e Tryezës Rajonale Antitrafik, e drejtuar nga Sekretarja e Përgjithshme znj. Donika Hysenaj. Takimi kishte për qëllim shqyrtimin e rasteve të evidentuara nga strukturat përgjegjëse si dhe ndarjen e praktikave të bashkëpunimit institucional për trajtimin e çështjeve të ndjeshme sociale.

Gjatë mbledhjes u diskutua për një sërë rastesh të dhunës dhe vështirësive të natyrës sociale e shëndetësore, të cilat kërkojnë një angazhim të koordinuar ndërinstitucional. U vu në dukje nevoja për ngritjen e një strehëzimi të posaçëm për persona të verbër dhe raste të tjera të ndjeshme, për shkak të pamundësisë së disa familjeve për të ofruar kujdesin e nevojshëm.

U theksua gjithashtu se, deri më tani, në qarkun Dibër nuk janë evidentuar viktima të mundshme të trafikimit të personave, megjithatë strukturat përgjegjëse vijojnë procesin e monitorimit dhe verifikimit të rasteve të dyshuara, për të siguruar ndërhyrje të menjëhershme kur është e nevojshme.

Institucioni i Prefektit mbetet i përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjen e grupeve në nevojë, në funksion të një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj parandalimit të trafikimit dhe dhunës.