Më datë 22 korrik 2025, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër u zhvillua një mbledhje urgjente e thirrur nga Ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, për të analizuar dhe koordinuar masat ndaj situatës së zjarreve që kanë përfshirë Parkun Kombëtar të Lurës.
Prefekti i Qarkut, z. Shehu, informoi se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme, me mbi 300 hektarë pyje dhe bimësi të djegura, duke rrezikuar seriozisht mjedisin, biodiversitetin dhe komunitetet përreth. Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të angazhuara janë duke punuar me intensitet nga toka dhe ajri, por terreni i thepisur dhe i vështirë e bën shumë të vështirë arritjen në vatrat aktive të zjarrit për forcat operacionale.
Ministri i Mbrojtjes kërkoi forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes të gjitha strukturave të përfshira dhe theksoi domosdoshmërinë që të përgatiten të gjitha materialet dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje efektive në terren. Ai urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm koordinimi, i cili do të punojë me ekipe të ndara dhe turne, për të garantuar menaxhimin sa më të mirë të situatës emergjente deri në shuarjen e plotë të flakëve.