Flamuri
Republika e Shqipërisë
Te Reja

Situata e zjarreve në Qarkun Dibër

Gjatë fundjavës, Qarku Dibër është përballur me disa vatra zjarri në zona të ndryshme, me përqendrim më të madh në Bulqizë, Qafën e Buallit, Malin e Allushit Klos , Zall Gjocaj Mat dhe në Parkun e Lurës Diber . Prefekti i qarkut së bashku me administratën e tij kanë ndjekur nga afër situatën në terren, duke monitoruar çdo zhvillim në kohë reale dhe duke koordinuar veprimet për ndërhyrjet.

Për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar sipërfaqe të mëdha pyjore. Situata gjatë pasditës të së shtunes dhe të dielës ka qenë kritike, por falë ndërhyrjes së strukturave përkatëse, përfshirë edhe ndihmën nga ajri dhe angazhimin e trupave të ushtrisë, është arritur të përmirësohet ndjeshëm.

Në Bulqizë, gjatë ditës së dielë, ka qenë e pranishme zv.kryeministrja së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, ku kanë inspektuar nga afër operacionet për shuarjen e vatrave dhe janë njohur me masat e marra në terren.

Puna për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave vijon edhe sot, në koordinim të plotë me strukturat e angazhuara në terren, në koordinim me autoritetet qëndrore dhe vendore.