Më datë 9 shtator 2025, në ambientet e Prefekturës së Qarkut Dibër, nën drejtimin e Prefektit z. Nexhbedin Shehu, u zhvillua mbledhja e Organit Këshillues me temë: Raportim mbi masat e marra për fillimin e vitit të ri arsimor 2025–2026.
Nga diskutimet u theksua se në nivel qarku vihet re një ulje e regjistrimeve të nxënësve, si në klasat e para ashtu edhe në klasat e dhjeta. Në disa zona është shënuar rritje, gjë që ka bërë të mundur hapjen e më shumë klasave, por prirja e përgjithshme mbetet në rënie.
Është vlerësuar bashkëpunimi i mirë mes ZVA-ve, Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe garantimin e kushteve të nevojshme në shkolla. Sërish u ngrit shqetësimi për mungesën e oficerëve të sigurisë, çka e bën të domosdoshme gjetjen e zgjidhjeve të shpejta për këtë problem.
Një tjetër çështje që kërkon vëmendje lidhet me kushtet higjieno-sanitare në disa institucione arsimore, të cilat ende nuk janë në nivelin e duhur. Ndërkohë, në arsimin profesional u vu në dukje mungesa e regjistrimeve për disa drejtime si teknologjia ushqimore dhe gjeologjia minerare, duke treguar nevojën për një orientim më të mirë të të rinjve drejt këtyre profileve.
Prefekti i Qarkut Dibër, z. Nexhbedin Shehu, theksoi se ndjekja e këtyre problematikave dhe gjetja e zgjidhjeve të qëndrueshme do të jenë në fokus të punës së institucionit që ai drejton.