Më datë 16 shtator 2025, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër u zhvillua mbledhja e Tryezës Antitrafik për periudhën korrik–shtator 2025, nën drejtimin e Sekretares së Përgjithshme, znj. Donika Hysenaj.
Gjatë takimit u theksua se deri më tani nuk janë evidentuar raste të viktimave të mundshme të trafikut, ndërsa u kërkua që gjatë muajit tetor të organizohen më shumë aktivitete sensibilizuese në bashkëpunim me institucionet dhe aktorët lokalë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të shkollave dhe punës së psikologëve për ndërgjegjësimin e të rinjve.
Një tjetër çështje e ngritur ishte mungesa e funksionalitetit të Qendrës së Strehimit “Strehëza”, duke nënvizuar nevojën për hapjen dhe rregullimin e ambienteve të saj. Po ashtu u raportuan raste të dhunës në familje, të cilat kërkojnë trajtim dhe mbështetje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Tryeza Antitrafik mbetet një mekanizëm i rëndësishëm bashkërendimi për parandalimin e trafikimit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.