Flamuri
Republika e Shqipërisë
Te Reja

Mbledhje e Organit Këshillues dhe Komisionit të Mbrojtjes Civile

Më datë 28 tetor 2025, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, u zhvillua mbledhja e Organit Këshillues dhe Komisionit të Mbrojtjes Civile, me fokus masat e marra për përballimin e situatave të mundshme të emergjencave dimërore për periudhën 2025–2026.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e mirëmbajtjes së mjeteve dimërore, sigurimit të aksesit në rrugët rurale dhe garantimit të funksionimit normal të institucioneve arsimore e shëndetësore në kushte të vështira atmosferike.

Të gjitha bashkitë e qarkut kanë marrë masa për sigurimin e kripës dhe skorjes, ndërsa u bë me dije se drutë e zjarrit dhe peleti do të shpërndahen në të gjitha shkollat deri më 15 nëntor. Njësitë e qeverisjes vendore janë udhëzuar të jenë në gatishmëri të plotë për reagim të menjëhershëm në rast bllokimesh, reshjeve intensive apo dëmtimeve infrastrukturore.

U nënvizua rëndësia e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet të gjitha institucioneve dhe strukturave përbërëse, për të siguruar një menaxhim efikas të çdo situate emergjente.

Gjithashtu, u theksua nevoja për përfundimin sa më parë të dokumentit të “Zvogëlimit të Riskut ndaj Fatkeqësive” nga bashkitë e qarkut, si një instrument thelbësor për planifikimin dhe reagimin e koordinuar në rast emergjencash.