Në ambientet e AdZM Dibër u zhvillua mbledhja me Komitetin e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër.
Në qendër të diskutimeve ishte menaxhimi dhe mbrojtja e Parkut Kombëtar “Lurë–Mali i Dejës”. Prefekti i qarkut kërkoi vëmendje të shtuar ndaj Parkut të Lurës, duke theksuar se çdo vit zona përballet me problematikën e zjarreve, ndërkohë që mungon një analizë e plotë për shkaqet dhe masat parandaluese.
Përfaqësuesi i AKZM-së, z. S. Xhepa, informoi se po punohet për hartimin e Planit të Menaxhimit të Parkut “Lurë–Mali i Dejës”, i cili pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2026.
Gjithashtu, u theksua se me përfundimin e asfaltimit të rrugës drejt Lurës, pritet të ketë rritje të ndjeshme të lëvizjeve dhe vizitave në zonë, ndaj kërkohet angazhim më i madh për ruajtjen dhe mbrojtjen e parkut.