Sot, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, u zhvillua vizita mësimore e kursantëve të Kursit të Lartë të Oficerit (KLO), në kuadër të programit të tyre arsimor dhe bashkëpunimit institucional.
Prefekti i Qarkut Dibër bëri një prezantim të gjerë kulturor, historik dhe ekonomik të qarkut, duke theksuar potencialet natyrore, turizmin, vlerat tradicionale dhe zhvillimet kryesore të viteve të fundit.
Gjithashtu, ai vuri në dukje bashkëpunimin e vazhdueshëm të Prefekturës me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, sidomos në situata emergjencash, menaxhimin e zjarreve, reshjeve të dendura dhe çështje të sigurisë publike.
Pas prezantimit, u zhvillua një bashkëbisedim i hapur me kursantët e KLO, ku u trajtuan çështje të qeverisjes vendore, koordinimi institucional, sfidat dhe prioritetet e qarkut, si edhe roli i Prefektit në funksion të ruajtjes së rendit dhe zbatimit të politikave shtetërore.
Vizita u mbyll me interes të ndërsjellë për vijimin e bashkëpunimit dhe organizimin e aktiviteteve të tjera me karakter informues dhe praktik.