Sot, më datë 30 dhjetor 2025, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, u zhvillua mbledhja me drejtuesit e institucioneve qendrore në nivel vendor, nën drejtimin e Prefektit.
Gjatë takimit u diskutua mbi situatën e përgjithshme dhe mbarëvajtjen e punës institucionale. Prefekti kërkoi nga të gjithë të pranishmit që të jenë në gatishmëri të shtuar gjatë ditëve të para të muajit janar, për shkak të parashikimeve për përkeqësim të kushteve atmosferike, duke theksuar rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe koordinimit ndërinstitucional në rast nevoje.
U evidentua bashkëpunimi i mirë mes institucioneve, i cili ka ndikuar pozitivisht në menaxhimin e situatave dhe në garantimin e shërbimeve për qytetarët. Gjithashtu, u kërkua vijimi i monitorimit të territorit, sidomos në zonat më problematike, si dhe angazhimi maksimal i strukturave përkatëse për përballimin e çdo situate të mundshme gjatë sezonit dimëror.