Flamuri
Republika e Shqipërisë
Te Reja

Analiza vjetore e punës së Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër për vitin 2025

Sot, më datë 22 janar 2026, u zhvillua analiza vjetore e punës së Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër për vitin 2025.

Në këtë analizë morën pjesë dhe mbajtën fjalën e tyre Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, znj. Silva Caka, dhe Këshilltari i Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Mamaj. Të pranishëm në këtë aktivitet ishte gjithashtu Drejtori i Politikave dhe Koordinimit për Menaxhimin e Territorit , z. Arben Xheferi, si dhe drejtues dhe punonjës të Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër.

Gjatë mbledhjes u prezantua në mënyrë të detajuar e gjithë veprimtaria e Institucionit të Prefektit për vitin 2025, duke u ndalur në rolin e prefektit në drejtim të kontrollit të ligjshmërisë së veprimtarisë së pushtetit vendor, koordinimit ndërinstitucional, funksionimit të sistemit të emergjencave civile dhe bashkëpunimit me strukturat përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, znj. Silva Caka, vlerësoi punën e Institucionit të Prefektit, duke theksuar nevojën për forcimin e rolit mbikëqyrës dhe këshillues të prefektit, rritjen e kontrollit të ligjshmërisë, si dhe përmirësimin e funksionimit të sistemit të emergjencave civile dhe të mekanizmave të reagimit ndaj problematikave në nivel vendor.

Këshilltari i Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Mamaj, u ndal në rëndësinë e rishikimit të kuadrit ligjor që rregullon funksionimin e institucionit të prefektit, si dhe në forcimin e rolit të deleguar të këtij institucioni në raport me pushtetin qendror dhe vendor.

Në përfundim të analizës u vlerësua bashkëpunimi shumë i mirë midis sektorëve brenda Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, si dhe bashkëpunimi korrekt dhe funksional i institucionit me pushtetin vendor, si elementë thelbësorë për përmbushjen e detyrave ligjore dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.