Sot, më datë 27 janar 2026, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, u zhvillua mbledhja e Organit Këshillues mbi prioritetet për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Qarkut Dibër gjatë vitit 2026.
Në këtë mbledhje morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të institucioneve rajonale, ndër të cilët kryetarët e bashkive Bulqizë, Klos, Mat dhe Dibër, si dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Dibër.
Gjatë mbledhjes u prezantua informacioni mbi veprimtarinë e Organit Këshillues pranë Prefektit gjatë vitit 2026, si dhe u diskutua dhe u miratua tematikë vjetore e këtij organi për vitin 2026. Diskutimet u fokusuan në përcaktimin e prioriteteve kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit të qarkut, duke u ndalur në çështje që lidhen me menaxhimin e mbetjeve urbane dhe ndërtimin e një vendgrumbullimi të përbashkët, përmirësimin e infrastrukturës dhe proceset e rikonstruksionit në territorin e bashkive, si dhe forcimin e politikave të strehimit social dhe zhvillimit të banesave sociale.
Po ashtu, u trajtuan problematika që lidhen me ndërtimin dhe rehabilitimin e kanaleve vaditëse, ndërhyrjet në digat e amortizuara, regjistrimin dhe administrimin e pronave publike, si dhe zhvillimin e turizmit, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe monumenteve të kulturës. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe riparimit dhe sistemimit të shtratit të lumit Drin në zonën e fshatit Kishavec, Bashkia Dibër, si një ndër çështjet prioritare për sigurinë dhe zhvillimin e territorit.
Në përfundim të mbledhjes, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet prefekturës, bashkive dhe institucioneve të tjera, me qëllim realizimin e objektivave strategjike dhe përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Qarkut Dibër gjatë vitit 2026.