Më datë 11 shkurt 2026, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, u zhvillua Analiza Vjetore e Drejtorive të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) të bashkive Dibër, Mat, Klos dhe Bulqizë për vitin 2025. Mbledhja u drejtua nga Prefekti i Qarkut dhe mori pjesë z. Llambi Gjergo, përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të MZSH pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Gjatë analizës u diskutua mbi veprimtarinë e strukturave të MZSH, bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe u evidentua nevoja për përmirësime në kuadrin ligjor dhe në procedurat e rekrutimit të punonjësve. Drejtuesit raportuan ndërhyrjet e realizuara gjatë vitit të kaluar në raste zjarresh në pyje, banesa dhe zona të tjera të rrezikuara, duke theksuar rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe koordinimit në situata emergjente.
U evidentuan problematika të përbashkëta në të gjitha drejtoritë, si mungesa e personelit, mjeteve dhe pajisjeve operacionale, si dhe u kërkuan investime për modernizimin e kapaciteteve teknike dhe përmirësimin e kushteve të punës. Në përfundim, Prefekti propozoi krijimin e një akademie trajnimi për forcat zjarrfikëse dhe vullnetarët, me qëllim rritjen e profesionalizmit, zhvillimin e stërvitjeve periodike dhe forcimin e gatishmërisë për përballimin e emergjencave civile.
Prefekti falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe punën e kryer gjatë vitit, duke theksuar rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit për rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e pasurive natyrore në Qarkun Dibër.