Sot, më datë 24 shkurt 2026, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, u zhvillua mbledhja me Organin Këshillues dhe Komitetin Rajonal të Turizmit.
Gjatë mbledhjes u diskutuan zonat turistike dhe masat që do të ndërmerren për sezonin turistik 2026 nga bashkitë Dibër, Bulqizë, Klos dhe Mat. Vëmendje e veçantë iu kushtua zonave të rrezikuara nga zjarret, si dhe masave parandaluese në kuadër të mbrojtjes së territorit. Po ashtu, u trajtua plani për pastrimin e mbetjeve plastike dhe vijimi i nismës së përhershme që çdo të premte të fundit të muajit, institucionet të angazhohen në terren për mbledhjen e mbeturinave, në funksion të sensibilizimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
U evidentua rëndësia e koordinimit dhe bashkërendimit ndërinstitucional në funksion të përgatitjes së sezonit turistik 2026.
Në mbledhje ishte e pranishme edhe deputetja e qarkut Dibër, znj. Alma Selami, e cila në fjalën e saj theksoi se përmirësimi i shërbimit, infrastrukturës dhe forcimi i bashkëpunimit mbeten prioritete kyçe për zhvillimin e turizmit.
Në përfundim, Prefekti theksoi rëndësinë e shtimit të prezencës në terren, kontrollin e akseve nacionale për identifikimin e vendgrumbullimeve të paligjshme, përfshirë varrezat e makinave, si dhe nevojën që kutitë e ndihmës së parë të jenë të vendosura edhe në zonat turistike më të larta.