Flamuri
Republika e Shqipërisë
Te Reja

Takim sensibilizues për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike

Sot, më datë 5 mars 2026, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër u zhvillua një takim i zgjeruar sensibilizues për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër.

Takimi u zhvillua nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, drejtuesve të institucioneve rajonale që kanë detyrime në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, përfaqësuesve të pushtetit vendor, si dhe administratorëve të njësive administrative të të gjithë qarkut.

Në fjalën e tij, Prefekti i Qarkut Dibër falënderoi administratorët dhe drejtuesit e institucioneve për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm me bashkitë dhe strukturat përkatëse në kuadër të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike. Gjithashtu, ai kërkoi rritjen e vëmendjes ndaj situatave të zjarreve, duke qenë se deri më tani janë evidentuar disa raste në bashkitë Dibër dhe Bulqizë, si dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me strukturat e emergjencave civile dhe njoftimin në kohë për çdo situatë.

Në vijim të takimit, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, A. Gjikolaj, theksoi se Qarku Dibër renditet ndër qarqet me nivelin më të ulët të kultivimit të kanabisit, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe angazhimin e institucioneve dhe përfaqësuesve vendorë, si dhe duke kërkuar angazhim të shtuar.