U mbajt sot, më datë 23 prill 2026, në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, nën drejtimin e Prefektit, mbledhja e Organit Këshillues për raportimet mbi problematikat e bujqësisë dhe masat e marra për sezonin vaditës 2026.
Gjatë mbledhjes, të pranishmit raportuan mbi situatën në terren, ku u evidentuan problematika të sistemit vaditës si pasojë e dëmtimeve nga reshjet dhe mungesa e mirëmbajtjes në disa zona, si dhe nevoja për ndërhyrje dhe investime të mëtejshme në rehabilitimin e kanaleve. U theksua gjithashtu rëndësia e vijimit të punimeve për pastrimin dhe përmirësimin e infrastrukturës vaditëse, me qëllim garantimin e furnizimit me ujë për sezonin bujqësor.
Në diskutime u trajtuan edhe çështje që lidhen me mbështetjen e fermerëve, aplikimet në skemat mbështetëse dhe nevoja për rritjen e informimit dhe aksesit në këto programe. U evidentua rëndësia e koordinimit ndërinstitucional për zgjidhjen e problematikave, si dhe për parandalimin e braktisjes së tokave bujqësore.
Në përfundim, Prefekti kërkoi angazhim më të madh nga të gjitha palët për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në qark.